Prej 1 nëntorit, qytetarët që udhëtojnë me linjat urbane Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë po paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 që ishte më parë. Rritja e çmimit ka prekur gjithashtu edhe abonetë mujore, të cilat janë shtrenjtuar me 200 lekë.
Sipas Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, vendimi ishte i pashmangshëm për shkak të shtimit të kostove të mirëmbajtjes, të karburantit dhe mungesës së subvencioneve nga Bashkia e Kamzës.
Kryetari i shoqatës, Dashnor Memaj, tha se operatorët e transportit ndodhen në vështirësi financiare dhe se rritja e çmimit është bërë për të garantuar vijimësinë e shërbimit. Ai shtoi se, ndonëse rritja prek drejtpërdrejt qytetarët, ishte e vetmja mënyrë për të shmangur reduktimin e linjave apo ndërprerjen e shërbimeve.
Ndërkohë, shumë qytetarë e kanë pritur me pakënaqësi vendimin, duke theksuar se rritja e biletës shton barrën ekonomike në një kohë kur kostot e jetesës vijojnë të rriten çdo muaj.
