Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Universiteti Bujqësor i Tiranës është kthyer në pararojë të transformimit dhe ambicies për Shqipërinë e së nesërmes, ndërsa sipas tij, synohet shndërrimi i tij në një universitet rajonal.
Kryeministri Rama ishte i pranishëm sot në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, ku ekspertë vendas dhe të huaj ndanë dijen, inovacionin dhe vizionin e përbashkët për një bujqësi që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te partneriteti i UBT-së me Universitetin BOKU të Vjenës, ndërsa shprehu besimin se “ky hap është garanci për një rrugë që do të shtrohet me kontributin e të gjithëve dhe do të çojë në ditën e njehsimit të plotë të diplomave mes UBT-së dhe universitetit BOKU të Vjenës”.
Rama kujtoi gjendjen në të cilën ndodhej UBT, para vendosjes së këtij bashkëpunimi, kur për shkak të rënies së numrit të studentëve u kërkua ulja e mëtejshme e mesatares së pranimit.
“Faktikisht nëse do të ndodhte kjo do të shkonim në një drejtim që do të kompromentonte totalisht cilësinë e burimeve njerëzore në dispozicion të zhvillimit të vendit në një sektor jetik si bujqësia dhe në një fushë kaq komplekse sa zhvillimi rural.
Në një moment të tillë, Rama kujtoi se ka kërkuar që t’i jepet universitetit marka e ekselencës dhe të bëhet tërheqës duke i frymëzuar të rinjtë, moment që sipas tij përbën edhe fillesat e partneritetit me Universitetin Boku të Vjenës.UBT, sipas tij, “jetonte në një proces rrënimi të vazhdueshëm si rezultat i kthimit të kurrizit ndaj temave që ky universitet mbulon”.
Rama tha se UBT ishte atëherë i sulmuar dhe i kapur për fyti nga një rrjet i tërë metastazash brenda kancerit të ndërtimtarisë pa leje, ndërsa sot është kthyer në pararojë të transformimit”.
