Gjykata Kushtetuese shfuqizon me shumicë votash vendimin e Këshillit Bashkiak dhe dekretin e Presidentit Begaj, duke e cilësuar shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës si të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e plotë për çështjen e Erion Veliajt, duke konstatuar se vendimi për shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës ishte në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se neni 115 i Kushtetutës ka përparësi ndaj ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe përcakton se një kryetar bashkie mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të ligjit ose të Kushtetutës, kriter që, sipas trupës gjykuese, nuk ishte plotësuar në rastin e Veliajt.
Gjykata thekson gjithashtu se Këshilli Bashkiak dhe qeveria nuk kanë garantuar një proces të rregullt ligjor, pasi Veliaj nuk është njoftuar dhe nuk ka pasur mundësi të mbrohet gjatë mbledhjes ku u mor vendimi për shkarkimin e tij.
Në argumentet kryesore të vendimit, GJK shprehet se:
- Këshilli Bashkiak ka tejkaluar kompetencat ligjore;
 - Nuk u vërtetua asnjë shkelje e rëndë që justifikon shkarkimin;
 - Procedura e ndjekur nuk përmbushi standardet e procesit të rregullt ligjor;
 - Vendimi i qeverisë (VKM) nuk bazohej në asnjë shkelje të rëndë kushtetuese.
 
Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese ka vendosur:
- Shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave që shkarkonte Erion Veliajn.
 - Shfuqizimin pjesërisht të dekretit të Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve, vetëm në pjesën që i përkiste Bashkisë Tiranë.
 
Ky vendim rikthen zyrtarisht Erion Veliajn në detyrë dhe konsiderohet si një precedent i rëndësishëm për mënyrën se si mund të shkarkohen drejtuesit vendorë në të ardhmen.
