Pas një seance disaorëshe, trupa e Gjykatës Kushtetuese vendosi me shumicë votash të shfuqizojë shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës dhe dekretin për zgjedhje të reja, duke i dhënë të drejtë Erion Veliajt.
Gjykata Kushtetuese ka shpallur sot vendimin për rikthimin në detyrë të Erion Veliajt, duke rrëzuar kërkesën e Këshillit të Ministrave dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj që parashikonte zgjedhje të reja në Tiranë.
Vendimi u mor pas një seance maratonë që zgjati disa orë dhe u përmbyll rreth orës 17:30, me një rezultat prej pesë votash pro dhe tre kundër. Trupa gjyqësore e konsideroi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës si të pavlefshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Sipas burimeve zyrtare, votën pro rikthimit të Veliajt e dhanë gjyqtarët:
- Sander Beci
 - Ilir Toska
 - Fiona Papajorgji
 - Marsida Xhaferllari
 - Mariana Semini
 
Ndërsa kundër vendimit u shprehën:
- Olta Zaçaj
 - Sonila Bejtja
 - Gent Ibrahimi
 
Ky është një nga vendimet më të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese të muajve të fundit, pasi jo vetëm rikthen Veliajn në detyrë, por vendos edhe një standard të ri në raportin mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit të plotë në Fletoren Zyrtare.
