Dy artistët kanë publikuar fragmentin e parë të këngës së re, një remix të “All Natural”, që pritet të kthehet në hitin më të ri të muzikës pop shqiptare.
Rita Ora dhe Ylli Limani kanë surprizuar fansat me lajmin e bashkëpunimit të tyre të parë. Përmes një videoje të publikuar në TikTok nga këngëtari kosovar, është zbuluar një pjesë nga projekti i përbashkët muzikor që pritet të publikohet shumë shpejt.
Në videon që po qarkullon me shpejtësi në rrjete sociale, dëgjohet harmonia mes zërit të ndjeshëm të Yll Limanit dhe vokalit karakteristik të Rita Orës. Kombinimi i dy stileve ka ngjallur reagime të menjëhershme pozitive nga ndjekësit e tyre në mbarë botën.
Kënga është një version i ri i hitit “All Natural”, të publikuar më herët nga Rita Ora, e cila në këtë remix sjell një energji më moderne dhe ritme të freskëta. Ndërkohë, interpretimi i Limanit pritet t’i japë projektit një ndjeshmëri të veçantë, duke reflektuar stilin e tij tipik emocional dhe të fuqishëm.
Ky bashkëpunim, që për shumë fansa ishte i papritur, pritet të shënojë një moment të rëndësishëm për muzikën shqiptare, duke bashkuar një yll ndërkombëtar dhe një nga zërat më të spikatur të skenës shqiptare.
Publikimi i plotë i këngës pritet në ditët në vijim, ndërsa fragmenti i parë ka mjaftuar që të shpërthejë entuziazmi në rrjete sociale. Një gjë është e qartë: bashkimi i Rita Orës dhe Yll Limanit premton një sukses të sigurt në tregun muzikor.
