Ekspertët francezë theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme në shenjat e para të çrregullimeve psikotike te adoleshentët dhe të rinjtë, ndërsa shërbimet e kujdesit mendor mbeten shumë larg nevojave reale të pacientëve.
Në Francë po hapet një debat i ri në fushën e psikiatrisë: si të parandalohet zhvillimi i sëmundjeve kronike mendore duke trajtuar simptomat që në fazat më të hershme. Një raport i publikuar nga “Le Monde” tregon se trajtim i hershëm psikiatrik për adoleshentët dhe të rinjtë mund të bëjë diferencën mes një periudhe kalimtare ankthi dhe një diagnoze të përjetshme si skizofrenia apo çrregullimet psikotike.
Në qendrat psikiatrike universitare të Parisit, si ajo e GHU Paris Psychiatrie & Neurosciences, specialistët po përpiqen të ndërhyjnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Rasti i 16-vjeçares Angelina, i cituar në artikull, tregon se sa delikate janë këto faza. Adolescentja, që shfaqte ndjesinë se ishte e vëzhguar dhe dëgjonte zëra të brendshëm, është pjesë e një programi ku psikiatrit përpiqen të kuptojnë dhe trajtojnë simptomat para se ato të përshkallëzohen.
Sipas mjekes Marie-Alix Laroche, e cila drejton njërën nga klinikat e vlerësimit për të rinjtë, “ky moment i parë i kontaktit me simptomat është vendimtar: çdo muaj vonesë në trajtim rrit rrezikun e një forme kronike të sëmundjes”.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së trajtimit të hershëm, sistemi francez i kujdesit psikiatrik është përballë mungesash të mëdha: staf i kufizuar, pritje të gjata dhe mungesë strukturash të specializuara për të rinjtë. Raporti vëren se shumë prej tyre arrijnë tek mjeku vetëm pasi kriza është bërë e rëndë, duke e bërë trajtimin më të gjatë dhe më të vështirë.
Specialistët paralajmërojnë se psikoza nuk lind papritur, ajo shpesh paraprihet nga sinjale të vogla, që nëse zbulohen herët, mund të trajtohen me terapi, mbështetje familjare dhe ndonjëherë medikamente të lehta.
Për momentin, Franca kërkon të ndërtojë një sistem të ri të kujdesit të hershëm psikiatrik, që të jetë më i qasshëm për të rinjtë, pa stigmatizim dhe pa burokraci. Synimi është të ndihmohen të rinjtë që të ruajnë balancën mendore përpara se sëmundja t’i izolojë nga jeta sociale e shkolla.
Ky model po shihet si një përmbysje e paradigmës tradicionale në psikiatri: nga pritja e krizës, në parandalim dhe reagim të menjëhershëm, një hap që mund të ndryshojë rrënjësisht shëndetin mendor të brezave të ardhshëm.
