Ervin Salianji i ka bërë thirrje qytetarëve për reagim dhe protesta, duke akuzuar qeverinë Rama për korrupsion, lidhje me krimin dhe kapje të institucioneve.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka dalë me një qëndrim të fortë kundër qeverisë, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të protestave dhe një revoltë popullore për t’i dhënë fund pushtetit të Edi Ramës.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Salianji shkruan se qeveria është “e kalbëzuar në çdo qelizë” dhe se korrupsioni, krimi dhe arroganca kanë pushtuar çdo institucion shtetëror. Ai akuzon kryeministrin Rama për përfshirje të drejtpërdrejtë në afera kriminale, ndërsa paralajmëron se situata në vend ka arritur një pikë pa kthim.
“Qeveria është gangrenë korrupsioni dhe paaftësie. Lidhjet me krimin kanë kapur çdo hallkë të shtetit. Rama është kapur në krim. Nuk ka më durim! Koha për reagim, protesta dhe revoltë popullore”, shkruan Salianji.
Ky reagim vjen në një moment tensioni politik mes opozitës dhe qeverisë, ku Partia Demokratike po diskuton strategjinë e saj përballë zhvillimeve të fundit në vend. Salianji është ndër zërat më të ashpër brenda PD-së që kërkon përshkallëzim të reagimit qytetar kundër qeverisë, duke paralajmëruar një sezon të ri protestash në Tiranë.
