Refie Cena denoncon në redaksinë e Vala News se është mashtruar nga juristja dhe moderatorja e emisionit “Shihemi në Gjyq”. Dokumentet tregojnë pagesën e një shume 100 euro në emër të djalit të Eni Çobanit, ndërsa premtimet për ndihmë nuk janë mbajtur.
Refie Cena, një grua shqiptare që jeton aktualisht në Greqi, ka dërguar në redaksinë e Vala News një denoncim të rëndë ndaj juristes dhe moderatores së njohur televizive Eni Çobani. Ajo pretendon se është mashtruar pas pjesëmarrjes në emisionin “Shihemi në Gjyq”, ku kishte shkuar për të kërkuar ndihmë për një konflikt familjar me vajzën e saj, Rudinën.
Sipas dëshmisë së Refies, për 26 vite me radhë ajo i ka dërguar vajzës së saj 1000 euro në muaj; 500 për vajzën dhe 500 që t’i ruheshin si kursime për pleqëri. Por, pasi Rudina u zhvendos në Francë me bashkëshortin, marrëdhëniet u ndërprenë dhe ajo mori me vete të gjitha kursimet. E detyruar nga vështirësitë ekonomike, Refia thotë se shiti edhe shtëpinë e saj në Vlorë dhe ia dërgoi paratë vajzës, pas premtimit se do ta merrte pranë saj në Francë. Ky premtim, sipas saj, nuk u mbajt kurrë.
Në kërkim të një zgjidhjeje, Refia iu drejtua emisionit “Shihemi në Gjyq”. Ajo tregon se Eni Çobani i kërkoi të dërgonte 100 euro përmes shërbimit Ria, në emër të Aldi Shehut, të cilin Refia e identifikon si djalin e Eni Çobanit. Pagesa, sipas saj, ishte kusht për të bërë rastin publik në emision.

Rasti u transmetua, por Refia thotë se historia e saj u deformua dhe në vend të saj u fut një person tjetër, një i afërm me emrin Gazi, për të përfaqësuar përmbajtjen e trilluar të historisë. Pas emisionit, ajo pretendon se Eni Çobani i premtoi zgjidhje, ose përmes bashkimit me vajzën në Francë, ose me një ndihmë financiare mujore prej 500 eurosh. Deri sot, sipas Refies, asgjë nuk është mbajtur dhe ajo ndodhet e pastrehë në Greqi.
Refia i ka dërguar redaksisë së Vala News fotokopjen e kartës së identitetit të Aldi Shehut dhe mandatin e pagesës prej 100 euro, që vërteton transferimin e shumës. Këto janë dokumentet që ajo i konsideron si provë të ndërmjetësimit nga ana e Eni Çobanit.

Pyetjet që ngre Vala News janë:
Pse një qytetare duhet të paguajë për të marrë pjesë në një emision që supozohet se ofron ndihmë falas?
Pse pagesa është bërë në emër të një familjari të Eni Çobanit dhe jo përmes kanaleve zyrtare të televizionit?
Për efekt të etikës gazetareske, Vala News nuk ka bërë publik asnjë nga pretendimet shtesë të zonjës Refie Cena që ajo aktualisht nuk ka mundur t’i provojë me dokumente apo prova të tjera të verifikueshme.
