Frédéric Merlin, pronari i BHV Marais, pranon se kishte menduar të ndërpriste bashkëpunimin me Shein pas zbulimit të kukullave seksuale me pamje fëmijësh, por tregon se vetë kompania kineze e ka bindur të vazhdojë.
Në një intervistë për radion franceze RTL, Frédéric Merlin, pronari i qendrës tregtare BHV Marais dhe president i Société des Grands Magasins, ka pranuar se pas shpërthimit të skandalit me kukullat seksuale me pamje fëmijësh, ai kishte menduar seriozisht të ndërpriste çdo bashkëpunim me gjigantin kinez të tregtisë online Shein.
E kemi diskutuar brenda ekipit, madje jemi pyetur vërtet nëse duhet të ndalonim bashkëpunimin. Por Shein na ka kontaktuar menjëherë dhe na ka bindur të vazhdojmë, duke premtuar transparencë dhe kontrolle më të rrepta, tha Merlin gjatë emisionit të mëngjesit në RTL të martën, më 4 nëntor.
Deklarata e tij ka ndezur një valë të re kritikash, pasi shumë e kanë cilësuar këtë vendim si të papërgjegjshëm dhe moralisht të papranueshëm, në një moment kur Shein është nën hetim nga prokuroria franceze për shitje të objekteve me përmbajtje pedopornografike në platformën e saj.
Merlin, i cili është renditur mes 250 njerëzve më të pasur në Francë, mbetet një figurë e përfolur për lidhjet e tij me kompaninë kineze, e cila prej muajsh është akuzuar për mungesë etike në prodhim dhe shpërndarje. Në këtë intervistë, ai tha se ndan indinjatën e publikut dhe e konsideron rastin krejtësisht të papranueshëm, por theksoi se beson se Shein po përpiqet të rregullojë problemet nga brenda.
Skandali që shpërtheu më 31 tetor ka tronditur opinionin publik francez, pasi në platformën e Shein u gjetën produkte seksuale me pamje të fëmijëve, të cilat u raportuan menjëherë në drejtësi. Përveç Shein, edhe AliExpress, Temu dhe Wish janë nën hetim për të njëjtën çështje.
Ndërkohë, ministrja franceze për Fëmijët, Sarah El Haïry, ka kërkuar që blerësit e këtyre objekteve të hetohen dhe të përballen me pasoja ligjore. Shein ka premtuar bashkëpunim të plotë me autoritetet dhe dorëzimin e të dhënave të klientëve francezë që kanë porositur produktet e ndaluara.
Rasti po konsiderohet si një provë e rëndësishme për reputacionin e Shein në Evropë, ndërsa presioni ndaj partnerëve të saj, përfshirë BHV Marais, sa vjen e shtohet.
