Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Qëllimi i vizitës së Misionit në Shqipëri ishte zhvillimi i dialogut periodik me autoritetet shqiptare mbi zhvillimet ekonomike, monetare e financiare, si dhe politikat e duhura për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.
Diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare në vend, dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë; si dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit.
Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase. Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri të lartë përballë sfidave globale, duke ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje dhe stabilitet makroekonomik. Vendi ka shënuar rritje ekonomike, inflacion të ulët e të qëndrueshëm, si dhe një sistem financiar të shëndoshë. Këto arritje janë reflektuar edhe në përmirësimin e vlerësimeve nga agjencitë ndërkombëtare Moody’s dhe S&P.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, ekonomia u rrit me 3.6%, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi. Papunësia ra në nivelin historik prej 8.5%, ndërsa pagat reale u rritën me ritme të larta. Inflacioni po afrohet gradualisht drejt objektivit 3%, ndërkohë që politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka mbetur akomoduese në mbështetje të këtij procesi, duke krijuar kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve.
