Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar një pjesë të komunikimeve mes zv/kryeministres Belinda Balluku tashmë të marrë të pandehur nga SPAK dhe ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi.
Në komunikimin e publikuar Balluku dhe Berberi flasin për manipulimin e kritereve për tenderin e tunelit të Llogarasë, duke ndryshuar eksperiencën në ndërtimin e objekteve të ngjashme për përfituesin, nga 5 vite në 3.
Balluku pyet Berberin se përse ka ndryshuar ky kriter, ndërsa Berberi e sqaron se gjatë një takimi të kryer mes tyre me “Artën dhe Pëllumbin”, ky i fundit ka kërkuar këtë ndryshim.
Më pas ish-kreu i ARRSH shprehet se Arta i kishte thënë se këtë çështje e kishte diskutuar me Ballukun përpara takimit.
