Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë virtualisht në Euroneës EU Enlargement Summit, samiti i Zgjerimit në Euroneës, një moment i rëndësishëm dialogu BE – vendet e Ballkanit Perendimor mbi të ardhmen e zgjerimit.
Rama foli për luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri, duke u ndalur te veprimtaria e SPAK, e cila sipas tij “ka krijuar shembullin se lufta kundër korrupsionit është diçka që shkon përtej fjalëve dhe është tejet e ekuilibruar pa parë majtas apo djathtas, pavarësisht kush është në qeveri apo opozitë”.
“Shqipëria po bën diçka unike në gjithë rajonin, reformën tonë në drejtësi dhe njohjen nga ana jonë të pavarësisë së drejtësisë. Veprimtaria e plotë e SPAK ka krijuar në Shqipëri dhe për Shqipërinë shembullin se lufta kundër korrupsionit është diçka që shkon përtej fjalëve, shumë përtej sipërfaqes, shkon shumë thellë dhe është tejet e ekuilibruar pa parë majtas apo djathtas, pavarësisht kush është në qeveri apo opozitë, kush ka qenë në pushtet apo kush është në pushtet dhe me shumë fakte që tregojnë se ajo që kurrë nuk kishte ndodhur në Shqipëri që prej krijimit të shtetit shqiptar deri shumë pak vite më parë, po ndodh vitet e fundit, diçka që askush në rajon nuk e ka bërë. Kjo është për të thënë që e kemi marrë shumë seriozisht dhe ne pranojmë mbështetje, partneritet dhe ndihmë, por jo leksione nga askush kur vjen te lufta ndaj korrupsionit”, tha Rama.
