Nën zemërimin dhe presionin e opinionit publik, Carlos Mazon, kreu i qeverisë rajonale të Valencias, njoftoi sot dorëheqjen nga posti i tij.
Mazon ishte objekt i kritikave të ashpra për mënyrën se si menaxhoi përmbytjet shkatërrimtare, që më shumë se një vit më parë u morën jetën 229 personave në rajon.
Mazon kishte rezistuar për muaj të tërë ndaj thirrjeve për t’u dorëhequr, pasi doli në dritë se, në kulmin e fatkeqësisë, ai kishte kaluar mbi tre orë në drekë me një gazetar, ndërsa njerëzit mbyteshin në shtëpitë, garazhet dhe makinat e tyre.
Refuzimi i tij i vazhdueshëm për t’u larguar nga posti shkaktoi valë protestash masive në të gjithë Valencian, me protestues që mbanin pankarta me slogane si:
“Baltë në duart tona, gjak në të tijat.”
Një sondazh i fundit tregonte se 75% e banorëve të Valencias besonin se Mazon duhej të jepte dorëheqjen.
“Nuk mund të vazhdoj më,” deklaroi ai për gazetarët pas një fjalimi, gjatë të cilit kritikoi ashpër reagimin e qeverisë kombëtare ndaj krizës.
Ai nuk sqaroi nëse do të shpallë zgjedhje të parakohshme, as nëse do të heqë dorë nga mandati në asamblenë rajonale, çka do t’i hiqte imunitetin parlamentar, dhe as se kush do ta zëvendësojë përkohësisht.
Më parë, Mazon kishte mbrojtur veten duke argumentuar se për fatkeqësitë natyrore nuk ka asgjë në dorë qeveria. “Nuk ekziston asnjë qeveri në botë që të ketë mjetet për të ndryshuar, ndalur apo shmangur një stuhi të tillë shiu, që thyen çdo rekord historik reshjesh.”
