
34-vjeçari shënon një fitore historike duke u bërë kryebashkiaku më i ri, i pari mysliman dhe i pari me platformë hapur socialiste në krye të qytetit
Zohran Mamdani, 34 vjeç, është zgjedhur kryebashkiaku i ri i New Yorkut, një prej qendrave më të rëndësishme politike dhe financiare të botës. Fitorja e tij konsiderohet një nga zhvillimet më të papritura dhe domethënëse të politikës amerikane të viteve të fundit, pasi ai vinte nga krahët progresistë të Partisë Demokrate dhe ishte relativisht pak i njohur në skenën kombëtare deri një vit më parë.
Mamdani siguroi rreth 50.4 % të votave, duke lënë pas ish-guvernatorin e njohur të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i cili kandidoi si i pavarur, si dhe kandidatin republikan Curtis Sliwa. Fushata e tij u mbështet fuqishëm tek idetë sociale, kërkesa për uljen e kostos së jetesës në qytet, rritjen e taksimit për më të pasurit dhe investimet në shërbime publike, përfshirë transportin dhe strehimin.
Në fjalimin e fitores të mbajtur në Brooklyn, Mamdani deklaroi se qyteti po hap një kapitull të ri, ku pushteti nuk do t’i takojë vetëm elitave politike ose ekonomike, por qytetarëve të thjeshtë që përballen çdo ditë me qira të larta, paga të ulëta dhe pabarazi të theksuara. Ai e cilësoi rezultatin si dëshmi se fryma progresive në SHBA është gjallë dhe po fiton terren, veçanërisht në zonat urbane të mëdha.
Analistët politikë e shohin këtë fitore si sinjal të një ndryshimi të orientimit të votuesve të brezave të rinj, të cilët kërkojnë politika më sociale, qeverisje më transparente dhe distancim të qartë nga figurat politike të lidhura me establishmentin tradicional. Sfidat që e presin Mamdanin në drejtimin e New Yorkut janë të mëdha, sidomos në menaxhimin e kostos së jetesës, sigurinë publike dhe pabarazitë sociale, por mbështetja e gjerë që mori e vendos atë në qendër të vëmendjes së politikës kombëtare amerikane.
