
Mbledhja do të zhvillohet në orën 14:00, ku në fokus janë buxheti i ri, ngritja e komisionit hetimor për fondet IPARD dhe debatet mbi raportin e OSBE/ODIHR
Konferenca e Kryetarëve pritet të mblidhet sot në orën 14:00 për të shqyrtuar një sërë çështjesh të rëndësishme parlamentare, përfshirë kërkesat e Partisë Demokratike dhe diskutimin mbi projektbuxhetin e vitit 2026. Në rend dite është parashikuar prezantimi i projektligjit për buxhetin e shtetit nga ministri i Financave, si dhe rishikimi i kalendarit të veçantë për trajtimin e tij në seancat e ardhshme.
Po ashtu, pritet të shqyrtohet projektprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 10 nëntor deri më 19 dhjetor, si dhe kalendari i seancave plenare nga 10 deri në 28 nëntor. Një pjesë e rëndësishme e mbledhjes lidhet me kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor që do të hetojë administrimin e fondeve të programit IPARD II, të destinuara për zhvillimin rural.
Në qendër të diskutimit do të jetë edhe kërkesa e PD për mocion me debat lidhur me gjetjet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve do të përcaktojë edhe kohën e debatit parlamentar për raportin e Komisionit të Çështjeve Ligjore mbi kërkesën e dorëzuar për shkarkimin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj.
