
Dyshohet se kanë lejuar ndërtimin e tre objekteve pa leje në zonën e Saukut, së bashku me administratorë dhe drejtues teknikë
Pesë punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim, pas hetimeve mbi ndërtimet pa leje në zonën rezidenciale të Saukut. Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar Wrong Project, pjesë e fushatës mbarëkombëtare Hapësira publike, që ka për qëllim goditjen e ndërtimeve të paligjshme.
Sipas të dhënave të policisë, inspektorët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos ndërhyrë dhe duke lejuar ngritjen e tre objekteve pa leje ndërtimi. Bashkë me ta, janë arrestuar edhe drejtues teknikë, administratorë të subjektit ndërtues dhe arkitekti i projektit, për veprën penale Ndërtimi i paligjshëm.
Të arrestuarit janë shtetasit Gj. M., 38 vjeç; K. R., 48 vjeç; A. D., 35 vjeç; O. C., 41 vjeç; dhe E. D., 32 vjeç, ndërsa një tjetër u procedua në gjendje të lirë. Ndërkohë, tre inspektorë të tjerë të IMT janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rolin e 14 personave të dyshuar në këtë çështje dhe për të verifikuar nëse ka pasur përfitime apo ndikime të paligjshme në procesin e tolerimit të ndërtimeve.
Kontrollet për ndërtimet pa leje dhe uzurpimin e hapësirave publike pritet të vijojnë në zona të tjera të kryeqytetit.
