
Mandatari ka 15 ditë për të siguruar shumicën në Kuvend; nëse dështojnë dy përpjekje, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për të formuar qeverinë e re. Vendimi u bë pasi Osmani zhvilloi konsultime me partitë parlamentare, të cilat deklaruan se nuk kishin kandidatura të tjera për mandatar.
Sipas Kushtetutës, mandatarit i jepet një afat prej 15 ditësh për të paraqitur përbërjen e qeverisë në Kuvend, ku duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve. Osmani theksoi se vendi duhet të bëjë përpjekje për të krijuar institucione funksionale, sidomos për çështje financiare dhe marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë miratim urgjent.
Ajo rikujtoi se, sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, nëse dy tentativat për formimin e qeverisë dështojnë, shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Osmani u shpreh se mandatin e ka dhënë mbi vlerësimin se Vetëvendosja ka gjasa reale të sigurojë shumicën.
Glauk Konjufca, pasi u propozua nga Vetëvendosje, u shpreh se synon bashkëpunim me partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, por jo domosdoshmërisht krijimin e një koalicioni formal. Sipas tij, formimi i qeverisë në këtë fazë do të shmangte organizimin e zgjedhjeve të menjëhershme, duke qenë se vendi duhet të zgjedhë edhe presidentin e ri në prill të vitit të ardhshëm.
Procesi pritet të vijojë me negociata intensive në ditët në vijim.
