Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, nga 1 janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro.
Në një videomesazh, Rama u shpreh se paga minimale do të rritet për 307.850 punonjës, të cilët do të marrin shumën e premtuar 500 euro.
Kjo rritje, sipas Kryeministrit, do të jetë e para, por jo e vetmja rritje e këtij mandati, ku paga minimale do të arrijë 700 euro.
Jo vetëm kaq, shtoi Rama, “por siç e kemi premtuar, qeveria do të subvencionojë për një periudhë 9-mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat”.
“Fiks kështu, ky jam unë dhe këta jemi ne. Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë të që themi”, nënvizoi Rama
“Dhe ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e katërt dhe për ta ulur në tryezën e Bashkimit Europian, si të barabartë ndër të barabartët, janë 83 arsye më shumë sesa deri dje, për të mos fjetur gjumë, për të punuar pa pushim dhe për t’ju kthyer ju me të gjithë pasionin, vullnetin, këmbënguljen, durimin dhe dashurinë e mundshme, të gjithë atë që ju na dhatë, një besim të jashtëzakonshëm që është privilegj i jashtëzakonshëm”, tha Rama.
