Emri i saj i është dërguar Kuvendit për votim, pritet të marrë drejtimin pas Mimoza Kaçit
Këshilli i Ministrave ka miratuar emrin e Adela Xhemalit për drejtimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), duke e propozuar zyrtarisht atë për t’u votuar në Kuvend. Xhemali pritet të zëvendësojë në këtë post Mimoza Kaçin, nëse kandidatura e saj merr mbështetjen e deputetëve në seancën e radhës.
Adela Xhemali ka një përvojë të gjatë në administratën publike dhe sektorin financiar. Ajo ka shërbyer si Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë nga viti 2020 deri në vitin 2025, ku ka qenë përgjegjëse për fushat e makroekonomisë, buxhetimit, thesarit, borxhit publik dhe menaxhimit të financave publike, si edhe për proceset e integrimit evropian.
Më herët, ajo ka mbajtur funksione drejtuese në struktura të rëndësishme qeveritare, përfshirë drejtimin e Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Borxhit Publik, si dhe programimin financiar dhe koordinimin e ndihmës së huaj.
Në arenën ndërkombëtare, gjatë viteve 2020–2025, Xhemali ka përfaqësuar Shqipërinë si guvernatore apo anëtare bordesh në institucione si FMN, Banka Botërore, BERZH, MIGA dhe banka të tjera shumëpalëshe zhvillimi.
Përvoja e saj shtrihet gjithashtu edhe në sektorin privat bankar, ku për më shumë se një dekadë ka mbajtur pozicione të larta drejtimi si Drejtore Financiare dhe Zëvendëspresidente në American Bank of Albania dhe më pas në Intesa Sanpaolo Bank.
Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Liverpool-it, ndërsa ka ndjekur edhe programe ekzekutive në Hult Ashridge dhe Harvard Kennedy School. Përvoja dhe profili i saj teknik shihen si elementë kyç për drejtimin e AMF në një periudhë dinamike për tregjet financiare.
