Komunikimet e siguruara nga SPAK tregojnë koordinim të plotë me kompanitë turke dhe kërkesa për mbajtjen e procesit të paekspozuar publikisht
Dosja hetimore e SPAK për procedurat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë ka zbuluar biseda të reja mes ish-ministren së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi. Sipas materialeve të siguruara nga Panorama.al, komunikimet janë zhvilluar përmes aplikacionit Signal dhe lidhen me fazat e firmosjes së kontratave me kompanitë turke ASL dhe INTEKAR.
Në biseda, Balluku dhe Berberi referohen një prej përfaqësuesve të kompanisë ASL, Abdulkadir Kart, me një ton ironik, ndërsa vijojnë diskutimet për ecurinë e takimeve dhe nënshkrimin e marrëveshjeve. Mesazhet tregojnë se palët kanë qenë të informuara hap pas hapi për mbërritjen e delegacionit turk, dakordësimin e draft kontratës dhe regjistrimin e shoqërisë së përbashkët që do të merrte përsipër realizimin e projektit në Shqipëri.
Në njërën prej bisedave, Berberi bën me dije se delegacioni turk kishte pranuar kushtet, ndërsa kompania e re do të regjistrohej në QKB. Balluku ka kërkuar që nënshkrimi i kontratës të zhvillohej pa prani publike, duke kërkuar që të mos publikoheshin foto apo njoftime deri në përfundimin e plotë të procesit.
Një ditë pas këtyre komunikimeve, më 8 nëntor 2021, është regjistruar në QKB shoqëria e përbashkët INTEKAR – ASL. Sipas të dhënave të TIMS, përfaqësuesit e kompanive kanë mbërritur dhe janë larguar nga Shqipëria po atë ditë, pas mbylljes së procedurës së nënshkrimit.
Belinda Balluku dhe Evis Berberi janë tashmë të pandehur në procedimin penal të hapur nga SPAK mbi akuzat për shkelje në procesin e tenderimit dhe menaxhimit të kontratave të projektit të Tunelit të Llogarasë. Hetimet janë ende në vijim.
