Mallrat e padeklaruara kapën vlerën rreth 8 mijë euro; nis procedura kundërvajtëse ndaj drejtuesve të mjeteve
Doganat e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë kontrolleve të fundit në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë janë zbuluar dy raste tentativash për kalimin e mallrave pa deklarim doganor. Të dy automjetet që hynin në territorin e Kosovës pretendonin se nuk posedonin mallra për deklarim, por kontrollet e detajuara zbuluan të kundërtën.
Sipas Doganave, në automjete u gjetën mallra të ndryshme me vlerë totale rreth 8,000 euro, përfshirë:
– Veshmbathje dhe tekstile (trenerka, xhaketa, peshqira, mbulesa krevati, fustane)
– Produkte kozmetike e farmaceutike (kremra, vajra, pika sysh, mjaltë mjekësor, ilaçe)
– Vegla pune elektrike (sharra, trapanë, pajisje ndërtimi)
– Pjese elektronike dhe aksesorë automjetesh (kamera, pajisje audio, drita LED, ndëgjuese)
– Artikuj të tjerë si çanta, parfume, sete pedikyri e produkte pastrimi
Të gjithë artikujt janë sekuestruar përkohësisht, ndërsa ndaj drejtuesve të mjeteve janë nisur procedurat për kundërvajtje doganore sipas nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.
Doganat e Kosovës rikujtojnë se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë në pikat kufitare me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
