Raporti financiar i dorëzuar së fundmi në KQZ ka nxjerrë në dritë se Partia Demokratike ka shpenzuar 1.4 milionë euro për shërbimet e strategut amerikan Chris LaCivita dhe ekipit të tij gjatë fushatës. Në të njëjtën kohë, PD ka edhe një kontratë lobimi në SHBA që lidhet me përpjekjet për të ndikuar në statusin e non-gratës të Sali Berishës, duke e çuar totalin e shpenzimeve në rreth 7.4 milionë dollarë për pak muaj.
SPAK ka në proces hetimi kontratën e lobimit të PD-së dhe sipas burimeve, pagesa për LaCivita pritet të administrohet si pjesë e dosjes hetimore. Prokuroria e Posaçme ka dërguar letër-porosi në SHBA, ndërsa pritet që dokumentacioni i shpenzimeve të kërkohet së shpejti edhe nga KQZ.
Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kryejë një auditim të plotë të raporteve financiare të partive. Në rast se evidentohen shkelje, dosja do të dërgohet në ndjekje penale.
Ilirjan Celibashi deklaroi:
“Është ende herët për të komentuar se sa e si kanë shpenzuar partitë politike në fushatë. Duhet analizë, ne do të bëjmë auditim në KQZ për të parë se si janë shpenzuar këto para dhe për më tepër edhe financimin e partive politike.”
Ndërsa SPAK vazhdon mbledhjen e dokumenteve, situata mbetet në vëmendje të lartë politike dhe institucionale.
