Prokuroria e Fierit bllokon apartamente, toka dhe kompani transporti të përdorura për të fshehur miliona euro të ardhura të paligjshme
Prokuroria e Fierit ka vendosur sekuestrimin e pasurive të Arjan, Mirjana dhe Klevis Hyka, si dhe të disa shoqërive tregtare të lidhura me ta, në kuadër të një hetimi për pastrim parash të fituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Arjan Hyka, i arrestuar më parë në Itali për trafik narkotikësh, dyshohet të ketë kthyer në Shqipëri shuma të mëdha parash përmes rrjeteve të transportit tokësor.
Sipas hetimeve, kompanitë “A” sh.p.k, “A Travel” sh.p.k, “A Bus” sh.p.k, “A I” sh.p.k dhe “M Trans” sh.p.k dyshohet të jenë përdorur si mekanizma për të formalizuar paratë e ardhura nga aktivitetet kriminale. Linjat e autobusëve Shqipëri–Itali mendohet se kanë shërbyer për transferimin e miliona eurove në vend.
Prokuroria ka sekuestruar pasuri të paluajtshme të familjes Hyka, përfshirë:
– Një apartament 135 m² në Fier
– Një apartament tjetër 127 m² në Fier
– Njësi komerciale në Tiranë
– Sipërfaqe toke bujqësore në Fier dhe Vlorë
Gjithashtu, po hetohet veprimtaria e kompanive të transportit, pasi në qershor 2024 dy shoferë të “A Travel” u kapën duke transportuar shuma të mëdha parash nga Italia në Shqipëri. Ata kanë deklaruar se paratë u janë dorëzuar nga shtetas italianë, kundrejt pagesës për këtë shërbim.
Hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për të zbuluar pasuri të tjera të mundshme të fshehura. Prokuroria nuk përjashton zgjerimin e sekuestrimeve në ditët në vijim.
