Qeveria belge thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dyshohet se incidenti është i organizuar dhe jo veprim amator
Autoritetet belge do të mblidhen të enjten në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas mbylljes së Aeroportit të Brukselit mbrëmjen e së martës, si pasojë e pranisë së një droni në hapësirën ajrore. Vendimi u njoftua nga kabineti i kryeministrit Bart De Wever, i cili ka urdhëruar pjesëmarrjen e drejtuesve të policisë, ushtrisë, shërbimeve të inteligjencës dhe prokurorisë.
Ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, deklaroi se incidenti nuk ka qenë një akt amator, duke lënë të kuptohet se pas tij mund të fshihet një grup i organizuar. “Ky nuk është veprim i thjeshtë apo rastësor. Po shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit me vendet fqinje për përgjigje të koordinuar,” tha ai.
Dronë të ngjashëm janë vërejtur edhe më herët këtë muaj mbi disa baza ushtarake në Belgjikë, ku dyshohet se kanë tentuar të përgjojnë aktivitetet e avionëve ushtarakë dhe depove të municioneve.
Ndërkohë, incidenti i mbrëmshëm solli pezullimin e fluturimeve dhe ka shkaktuar kaos në qarkullimin ajror. 28 fluturime u anuluan mbrëmjen e së martës, ndërsa të mërkurën u anuluan edhe 54 të tjera, duke prekur 22 fluturime nisëse dhe 32 mbërritëse.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po vlerësojnë nivelet e rrezikut dhe masat e nevojshme për mbrojtjen e hapësirës ajrore. Situata mbetet në vëzhgim të rreptë.
