Rreth 44 mijë fëmijë do të marrin vaksina brenda 10 ditësh, pas ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore gjatë luftimeve
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se të dielën do të fillojë një fushatë të gjerë vaksinimi në Rripin e Gazës, e cila synon rreth 44,000 fëmijë që nuk kanë mundur të marrin vaksinat bazë gjatë dy viteve të konfliktit të armatosur midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit.
Vaksinimet do të zhvillohen gjatë një periudhe 10-ditore dhe do të përfshijnë mbrojtjen kundër fruthit, shytave, rubeolës dhe poliomelitit. Sipas OBSH, dozat e tjera pritet të administrohen në janar, me qëllim që të mbyllet cikli i plotë i mbrojtjes.
Pas shpërthimeve të rasteve të poliomelitit në Gaza, janë kryer disa përpjekje për vaksinim gjatë armëpushimeve të kufizuara në verën e vitit 2024 dhe në shkurt të vitit 2025. Megjithatë, për shkak të luftimeve dhe lëvizjes së kufizuar, ekipet shëndetësore nuk arritën të vaksinojnë të gjithë fëmijët e rrezikuar.
OBSH vlerëson se rreth 20% e fëmijëve nën moshën pesë vjeç ose nuk janë vaksinuar fare, ose kanë marrë vetëm një pjesë të vaksinave të nevojshme. Ndërkohë, UNICEF po përgatitet të kryejë një vlerësim të gjendjes së kequshqyerjes, me synimin për të ofruar mbështetje më të saktë ushqyese.
Para shpërthimit të konfliktit, shkalla e vaksinimit në Gaza ishte rreth 98%, ndërsa aktualisht vlerësohet të ketë rënë nën 70%, sipas të dhënave të fundit të OBSH. Organizatës i duhet të veprojë me shpejtësi, për të shmangur rrezikun e shpërthimeve të reja epidemike në një popullsi tashmë të goditur rëndë nga lufta dhe bllokada humanitare.
