Operacioni “Foreign 3” zbuloi skemën e shfrytëzimit të prostitucionit në një banesë të kryeqytetit
Policia e Tiranës ka goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit në kryeqytet, ku një 47-vjeçare me shtetësi kineze akuzohet se shfrytëzonte dy bashkatdhetare të saj për ushtrim prostitucioni në apartamentin ku jetonin.
Sipas hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas informacioneve operative, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar Foreign 3, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasja F. Z., 47 vjeçe, ndërsa për dy gra të tjera, të moshave 44 dhe 46 vjeç, ka nisur procedimi penal për ushtrim prostitucioni dhe mbajtje të ambienteve për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Sipas të dhënave, 47-vjeçarja dyshohet se organizonte takimet dhe përfitonte financiarisht nga aktiviteti i dy grave, të cilat ushtronin prostitucionin brenda banesës.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
