Tubimi mbahet paralelisht me seancën plenare, me thirrje për mbrojtjen e familjes tradicionale.
Një protestë është zhvilluar paraditen e së enjtes përpara ndërtesës së Kuvendit, ku po shqyrtohet projektligji për barazinë gjinore. Tubimi është organizuar nga Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës, i cili kundërshton nismën duke argumentuar se ajo cenon rolin dhe strukturën e familjes tradicionale.
Protestuesit mbanin pankarta në duar dhe theksonin se identiteti gjinor nuk mund të relativizohet. Në disa prej pankartave vihej theksi se ekzistojnë vetëm dy gjini dhe se çdo ndryshim i mundshëm ligjor rrezikon të ndikojë në edukimin e fëmijëve dhe politikën familjare.
Në protestë ishin të pranishëm qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri thirrje për pjesëmarrje në tubim, duke e cilësuar projektligjin si të dëmshëm për familjen shqiptare dhe duke kërkuar mbrojtjen e vlerave tradicionale.
Ndërkohë, grupe të tjera të interesit dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë janë shprehur gjithashtu kundër projektligjit, duke e konsideruar atë si hap që mund të ndikojë në ndryshimin e qasjes kulturore dhe sociale ndaj modelit të familjes.
Protesta vijoi në mënyrë paqësore, nën praninë e forcave të rendit, ndërsa seanca plenare në Kuvend vazhdoi sipas rendit të ditës ku pritet që projektligji të diskutohet dhe të hidhet në votim.
