Debati për kalimin e pronësisë së një automjeti përfundoi me të shtëna me armë në Bathore, ku Elvis Visha mbeti i plagosur.
Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Bathore, ku Elvis Visha u plagos me armë nga Doaldo Bajrami. Konflikti mes dy të rinjve kishte nisur prej disa javësh dhe shkaku ishte pronësia e një automjeti.
Sipas hetimeve, Bajrami i kishte shitur një makinë Vishës, por kalimi i pronësisë nuk ishte kryer zyrtarisht, pasi nuk ishte firmosur akti i shitjes tek noteri. Bajrami kishte kërkuar disa herë që të shkonin për ta formalizuar blerjen, por Visha, i njohur si përdorues i lëndëve narkotike, kishte shmangur procedurën, me arsyetimin se nuk donte që mjeti të regjistrohej në emrin e tij për shkak të problemeve që mund t’i krijoheshin në rast aksidenti apo kontrolli.
Më tej, Visha i kishte thënë se automjeti ishte shitur një personi tjetër. Por pak ditë më vonë, Bajrami e ka parë Vishën duke lëvizur me makinën që pretendonte se nuk e kishte më. Ky moment dyshohet se ka qenë shkaku që Bajrami shkoi në banesën e tij, mori një çifte dhe shkoi në drejtim të Vishës, të cilin e qëlloi duke e plagosur.
I plagosuri ndodhet nën kujdes mjekësor, ndërsa autori u arrestua pak pas ngjarjes. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motivit të saktë të konfliktit.
