Ishulli u përdor si qendër grumbullimi dhe shpërndarjeje, ndërsa në rrjet përfshiheshin trafikantë, punonjës policie dhe avokatë.
Policia Kombëtare dhe Garda Civile spanjolle kanë zbuluar një skemë të gjerë trafiku ndërkombëtar droge të drejtuar nga një grup shqiptar, që përdorte Ibizën si pikë kyçe logjistike. Sipas raportimeve nga “La Voz de Ibiza”, droga vinte nga Amerika e Jugut dhe Maroku përmes anijeve, dhe në det të hapur hidhej në çanta të pajisura me GPS, për t’u marrë më pas nga skafe të shpejtë dhe për t’u magazinuar në vendstrehime të fshehta në ishull.
Prej Ibizës, ngarkesat shpërndaheshin drejt Majorkës, Valencias dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian, duke krijuar një rrjet të qëndrueshëm qarkullimi, i cili llogaritet të ketë transportuar mbi 2 ton kokainë dhe mbi 5 ton hashash vetëm drejt Majorkës. Fitimet e vlerësuara kapnin mbi 25 milionë euro.
Gjatë operacionit u sekuestruan 687 kilogramë kokainë, 2.5 ton hashash dhe rreth 1.5 milionë euro para cash. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se grupi përdorte pajisje gjurmimi për të vëzhguar lëvizjet e policisë dhe për të shmangur kontrollet.
Një detaj i veçantë që u zbulua gjatë sekuestrimit ishte fakti se disa nga paketat e kokainës mbanin të shtypur fotografinë e presidentit rus Vladimir Putin, një lloj shenjimi që përdoret në tregun ndërkombëtar të drogës për të identifikuar origjinën e ngarkesës dhe grupin përgjegjës.
Në krye të rrjetit identifikohet Stefan Milojeviç, i lidhur me grupin e motoristëve “United Tribuns”, i konsideruar si përfaqësues i mafies shqiptare në Spanjë. Sipas përgjimeve të siguruara nga Guardia Civil, ai është shprehur se operacionet e tij janë në nivelin më të lartë, duke i quajtur “Liga e Kampionëve” të trafikut.
Në mesin e mbi 100 personave të arrestuar janë edhe një inspektor i Policisë Kombëtare, i dyshuar për rrjedhje të informacionit sekret, si dhe avokati Gonzalo Márquez, i cilësuar si përgjegjës për skemën e pastrimit të parave përmes bizneseve, duke përfshirë edhe blerjen e disa hoteleve në Spanjë.
Të arrestuarit kryesorë ndodhen në burgim parandalues prej disa muajsh, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar lidhjet e tjera të rrjetit në vende të ndryshme të Evropës.
