Sipas Panos, projektligji nuk synon barazinë, por ndryshimin e konceptit të gjinisë dhe kufizimin e lirisë së shprehjes.
Pastori Akil Pano ka reaguar me tone të forta ndaj projektligjit për barazinë gjinore që pritet të shqyrtohet në Kuvend, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të thellë në vlerat shoqërore dhe fetare të vendit.
Sipas tij, propozimi ligjor nuk përfaqëson harmonizim me standardet ndërkombëtare, por një tentativë për të ndryshuar mënyrën se si shoqëria shqiptare e kupton identitetin gjinor, rolin e familjes dhe gjuhën publike. Ai deklaron se ky projektligj është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve.
Pano thekson se teksti i ligjit parashikon sanksione të rënda për ata që shprehin bindjen se ekzistojnë dy gjini biologjike, duke i hapur rrugë gjobave dhe madje edhe dënimit me burg për deklarime të tilla. Sipas tij, kjo prek lirinë e fjalës, të besimit dhe të ndërgjegjes.
Një tjetër shqetësim i ngritur është përfshirja e koncepteve të reja gjinore në sistemin arsimor. Pano paralajmëron se, në rast miratimi, mësimdhënia në kopshte dhe shkolla do të përfshijë programe mbi identitetet gjinore të shumëfishta, të cilat ai i konsideron si ndërhyrje në formimin psikologjik të fëmijëve.
Ai gjithashtu kundërshton idenë se projektligji lidhet me kërkesat për integrim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vetëm një pjesë e vogël e vendeve anëtare kanë miratuar legjislacion të ngjashëm.
Reagimi i Panos vjen në kuadër të protestave dhe debatit të gjerë publik që ka përfshirë shoqërinë ditët e fundit, ndërsa në Kuvend pritet një votim që mund të përcaktojë drejtimin e politikave gjinore në vend.
