
Çmimet në rritje të qirave dhe produkteve të shportës po ndryshojnë profilin e të huajve që zgjedhin vendin tonë për të jetuar, duke ulur ndjeshëm grup-moshën mbi 60 vjeç.
Rritja e ndjeshme e kostove të jetesës, veçanërisht tek qiratë dhe çmimet e ushqimeve, po ndikon tek pensionistët e huaj që dikur shihnin Shqipërinë si një vend të përballueshëm për të kaluar vitet e pensionit. të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin e fundit numri i të huajve mbi 60 vjeç me leje qëndrimi ka rënë me 15.5 %, duke zbritur në 3007 persona.
Kjo ndodh pavarësisht se numri i përgjithshëm i të huajve me leje qëndrimi në vend është rritur nga 21,460 në 21,940 gjatë të njëjtës periudhë. Rënia e grupmoshës së pensionistëve lidhet me zhvendosjen e tyre drejt destinacioneve me shpenzime më të ulëta jetese ose me politika më të favorshme për qëndrime afatgjata.
Ndërkohë, profili i migracionit të të huajve në Shqipëri po bëhet më i ri. Tek të ardhurit deri në moshën 19 vjeç vihet re një rritje e lehtë, duke arritur në 1,947 persona, kryesisht fëmijë të familjeve që jetojnë e punojnë në Shqipëri.
Rritja më e madhe është në grupmoshën 20–29 vjeç, e cila është rritur me 14 % dhe përbën tani rreth 20 % të të huajve rezidentë. Kjo tregon një interes në rritje nga studentë, punonjës sezonalë dhe të rinj që e shohin vendin si mundësi pune dhe zhvillimi.
Po ashtu, grup-mosha 30–39 vjeç është rritur me 11.7 % dhe përfaqëson 24 % të totalit. Bëhet fjalë kryesisht për persona aktivë në tregun e punës, profesionistë dhe sipërmarrës që vendosen për periudha të mesme ose afatgjata.
Në grupmoshën 40–49 vjeç gjithashtu ka rritje prej rreth 10 %, veçanërisht në sektorë si ndërtimi, energjia dhe shërbimet.
Ndërsa grupmosha 50–59 vjeç ka shfaqur rënie me 15 %, gjë që përforcon tendencën se Shqipëria po tërheq më pak të huaj që i afrohen moshës së pensionit dhe më shumë të rinj në moshë pune.
Ky ndryshim tregon se Shqipëria po shndërrohet gradualisht nga një destinacion për jetë të qetë pas pensionit në një treg pune të hapur për të rinj dhe profesionistë të huaj, ndërsa sfida mbetet mbajtja nën kontroll e kostove të jetesës.
