
Pas një dite në arrati, Policia e Kosovës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes së rëndë në Golluboc të Malishevës.
Policia e Kosovës ka arrestuar Astrit Isufin, i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve të bashkëshortes së tij në fshatin Golluboc të Malishevës. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, ndërsa autori ishte larguar menjëherë nga vendi i krimit.
Prokuroria Themelore në Gjakovë konfirmoi arrestimin e të dyshuarit, duke bërë me dije se hetimet po vazhdojnë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Sipas njoftimit, brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën kompetente.
Autoritetet po vijojnë mbledhjen e provave dhe rrethanave të plota të vrasjes së dyfishtë në këtë rast.
