
39-vjeçari Emri Hysenaj, pjesë e rrjetit të trafikut të drogës të drejtuar nga Adi Çoba dhe Elvis Doçi, është sjellë në Shqipëri për t’u përballur me akuzat.
Mbrëmjen e kaluar në Aeroportin e Rinasit mbërriti 39-vjeçari Emri Hysenaj, i ekstraduar nga Italia, ku ishte ndaluar pas shpalljes në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit hetimor të koduar Ura.
Hysenaj kishte ndaj vetes masën e arrestit me burg në mungesë dhe dyshohet se është pjesë e strukturës kriminale të drejtuar nga Adi Çoba dhe Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të ndryshme të Evropës.
Sipas dosjes hetimore, ai akuzohet se gjatë vitit 2021 ka marrë pjesë në transportimin dhe shpërndarjen e drogës nga Shqipëria drejt vendeve europiane, duke vepruar për llogari të grupit. Emri i tij del gjithashtu në përgjimet e siguruara nga SPAK përmes aplikacionit të komunikimit të enkriptuar SkyEcc.
Pas ekstradimit, ai pritet të dalë para Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Hetimet për rrjetin vazhdojnë.
