
Biznesmeni kosovar rrëfen prapaskenat e koncesionit të aeroportit të Vlorës dhe pretendon se fituesit e tenderit ishin vendosur përpara garës.
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka treguar detaje të reja nga përfshirja e tij në projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke ngritur dyshime se procedura e tenderimit nuk ishte transparente. I ftuar në emisionin Opinion, ai tha se ideja për projektin erdhi fillimisht nga Valon Ademi, i cili e njoftoi për mundësinë e një koncesioni që kishte dështuar më herët.
Sipas Pacollit, kompania e tij studioi dokumentet dhe vlerësoi se projekti kishte interes ekonomik, duke siguruar edhe mbështetjen bankare të nevojshme. Krahas kësaj, ai tha se iu desh të gjente një kompani ndërkombëtare për menaxhimin pas ndërtimit dhe për këtë arsye ishte kontaktuar Aeroporti i Mynihut.
Pacolli deklaroi se momenti që e bindi se tenderi nuk ishte i hapur realisht ndodhi gjatë një takimi në Ministrinë e Infrastrukturës, ku i pranishëm ishte edhe një përfaqësues i një kompanie turke. Sipas tij, gjatë takimit, ministrja Belinda Balluku komunikonte vetëm me përfaqësuesin turk, duke e injoruar atë.
Ai theksoi se pas takimit, përfaqësuesi turk i kishte propozuar një ndarje paraprake të aksioneve, 60 për qind për kompaninë e tij dhe 40 për qind për palën kosovare dhe bashkëpunëtorët e saj, propozim që më pas ndryshoi në 58 për qind për të, 40 për qind për kompaninë turke dhe 2 për qind për Valon Ademin.
Pacolli tha se kjo e bindi se tenderi ishte fiktiv dhe se fituesit ishin vendosur paraprakisht, ndërsa prania e kompanisë së huaj ishte vetëm për justifikim formal.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur SPAK po heton disa procedura strategjike të Ministrisë së Infrastrukturës, përfshirë rastin e tunelit të Llogarasë, çka ka rindezur diskutimet për mënyrën si shpërndahen kontratat publike në projekte të mëdha.
