
Raportime të pakonfirmuara flasin për role të shtuara të Mojtabas dhe Masoud Khameneit mes tensioneve me SHBA-në, por kushtetuta iraniane nuk lejon trashëgimi familjare të pushtetit
Raportime të fundit nga media të afërta me opozitën iraniane dhe burime ndërkombëtare hedhin dyshime se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të jetë nën masa ekstreme sigurie, mes frikës për një përshkallëzim ushtarak me Shtetet e Bashkuara. Këto spekulime kanë rikthyer në qendër të vëmendjes pyetjen se kush mund të marrë drejtimin e vendit nëse ai detyrohet të tërhiqet.
Sipas këtyre raportimeve të pakonfirmuara, dy nga djemtë e tij, Masoud Khamenei dhe Mojtaba Khamenei, po përmenden si figura kyçe që mund të kenë marrë role të përkohshme në menaxhimin e punëve të zyrës së Udhëheqësit Suprem. Megjithatë, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë asnjë konfirmim zyrtar.
Sipas disa burimeve, Masoud Khamenei, djali i tretë i liderit iranian, dyshohet se ka marrë një rol administrativ dhe koordinues, duke shërbyer si lidhje mes aparatit shtetëror dhe zyrës së Khameneit, në një periudhë të ndjeshme sigurie. Ai njihet për profil të ulët publik dhe përfshirje kryesisht në çështje komunikimi dhe menaxhimi mediatik të zyrës së liderit suprem.
Nga ana tjetër, Mojtaba Khamenei konsiderohet figura më e fuqishme mes djemve të tij. Ai ka lidhje të forta me Gardën Revolucionare, strukturat e sigurisë dhe inteligjencës, dhe është akuzuar nga media perëndimore për rol në shtypjen e protestave, përfshirë ato të vitit 2009 dhe trazirat e viteve 2022–2023. Për këto arsye, Mojtaba është sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se sistemi politik iranian nuk lejon trashëgimi familjare të pushtetit. Sipas kushtetutës, Udhëheqësi Suprem zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve dhe duhet të plotësojë kritere të larta fetare, politike dhe institucionale. Vetë Ali Khamenei ka deklaruar publikisht se kundërshton çdo formë sundimi dinastik.
Analistët paralajmërojnë se nëse largimi i Khameneit do të ndodhte si pasojë e presionit apo ndërhyrjes së jashtme, Irani mund të përballej me paqëndrueshmëri të thellë politike dhe jo me një tranzicion të rregullt pushteti. Një skenar i tillë do të hapte një kapitull të ri dhe të paparashikueshëm për të ardhmen e Republikës Islamike.
