
Dërgimi i një aeroplanmbajtëseje amerikane në Lindjen e Mesme ka rritur frikën për përshkallëzim ushtarak, ndërsa analistët paralajmërojnë pasoja të paparashikueshme për Iranin dhe gjithë rajonin
Pyetja që po dominon skenën ndërkombëtare është nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin një sulm ushtarak ndaj Iranit. Presidenti amerikan Donald Tramp ka kaluar nga kërcënimet verbale në lëvizje konkrete ushtarake, duke dërguar një aeroplanmbajtëse dhe anije luftarake mbështetëse në Lindjen e Mesme. Ky zhvillim ka forcuar bindjen mes analistëve se një përplasje është gjithnjë e më e mundshme, edhe pse Uashingtoni dhe Teherani vazhdojnë të lënë të hapur derën e negociatave.
Sipas vëzhguesve, dilema nuk është më nëse do të ketë sulm, por kur dhe si do të ndodhë ai. Pasojat, ndërkohë, mbeten të paqarta dhe potencialisht shkatërruese, jo vetëm për Iranin, por për të gjithë rajonin. Gjithçka do të varet nga shkalla e goditjeve, nëse ato do të jenë të kufizuara dhe precize apo të gjera dhe shkatërruese, nëse do të synojnë objekte ushtarake, programin bërthamor apo vetë udhëheqjen politike.
Një nga skenarët e përfolur është goditja e drejtpërdrejtë e strukturave kyçe të regjimit iranian, përfshirë Gardën Revolucionare dhe bazat e raketave balistike, me synimin për të dobësuar pushtetin e liderit suprem Ali Jamenei. Disa analistë besojnë se sulme të tilla mund të nxisin protestat e brendshme dhe të hapin rrugën për ndryshim regjimi. Të tjerë paralajmërojnë se një agresion i jashtëm do të forconte kohezionin e elitës iraniane dhe do të shtypte çdo opozitë të brendshme, duke prodhuar efektin e kundërt.
Një variant tjetër është ai i goditjeve të kufizuara, të ngjashme me sulmet e mëparshme ndaj programit bërthamor iranian, ku regjimi mbijeton, por detyrohet të bëjë lëshime të pjesshme. Ky model synon ndryshime në sjellje, jo rrëzim të sistemit, por edhe ky skenar shihet si pak realist, duke pasur parasysh rezistencën e regjimit gjatë dekadave të fundit dhe dështimin e presionit ndërkombëtar për ta reformuar atë.
Në rastin më të keq, një sulm amerikan mund të çojë në kaos të brendshëm, luftë civile ose përplasje etnike, duke e kthyer Iranin në një tjetër vatër destabiliteti si Siria apo Libia. Për shkak të madhësisë së vendit dhe përbërjes së tij etnike, pasojat do të shtriheshin përtej kufijve iranianë, duke përfshirë edhe fqinjët dhe duke krijuar një krizë të re refugjatësh.
Nga ana tjetër, Irani ka mundësi të reagojë ushtarakisht. Ai mund të godasë baza amerikane në rajon, të sulmojë aleatë të SHBA-së ose të kërcënojë seriozisht trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit botëror. Një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale dhe do ta përfshinte të gjithë Lindjen e Mesme në një krizë të re.
Ndërkohë, sondazhet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit amerikan, veçanërisht mbështetësit e Tramp, janë pro ndërhyrjes ushtarake ndaj Iranit. Kjo e vendos presidentin përballë një vendimi që mund të ndryshojë jo vetëm fatin e Iranit, por edhe ekuilibrat globalë të sigurisë.
Analistët bien dakord për një gjë: cilido qoftë skenari, pasojat do të jenë të thella dhe afatgjata. Një sulm ndaj Iranit nuk do të ishte një operacion i izoluar, por fillimi i një faze të re turbulencash në një rajon tashmë të brishtë.
