
I fokusuar te Ukraina, Kremlini hezitoi ndaj ofertës së Uashingtonit, ndërsa dobësimi i aleatëve iranianë dhe venezuelianë tregon se koha mund të mos jetë në favor të Moskës
Një vit më parë, presidenti rus Vladimir Putin ishte ndër të parët që përgëzoi Donald Tramp për rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, duke sinjalizuar fundin e një periudhe të ftohtë marrëdhëniesh mes Moskës dhe Uashingtonit. Epoka e administratës Biden, e dominuar nga lufta në Ukrainë dhe mungesa e dialogut, dukej se po mbyllej, ndërsa linjat e komunikimit mes Rusisë dhe Shtetet e Bashkuara u rihapën gradualisht.
Telefonata presidenciale, kontakte diplomatike dhe vizita të emisarëve të posaçëm u shtuan, duke kulmuar me samitin e Anchorage më 15 gusht. Takimi nxori në pah vendosmërinë e Kremlinit për të imponuar linjën e tij, në një kohë kur Tramp shfaqej i bindur se mund të sillte paqen shpejt në Ukrainë. Megjithatë, sipas analizës së mediave franceze, Putini mbeti i përqendruar te ideja e një fitoreje strategjike në Ukrainë dhe tregoi hezitim ndaj një marrëveshjeje më të gjerë politike dhe ekonomike me Uashingtonin.
Këto ditë, Kirill Dmitriev, emisari rus për bashkëpunimin ekonomik, ka mbërritur në Davos për bisedime të tjera rreth Ukrainës me përfaqësues amerikanë, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror. Sipas raportimeve, ai pritet të takohet me Steve Witkoff, emisar i posaçëm i Trampit, si dhe me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, duke treguar se kanalet e dialogut mbeten të hapura.
Megjithatë, situata ndërkombëtare po ndryshon me shpejtësi. Dobësimi i aleatëve kyç të Rusisë, si Irani dhe Venezuela, si dhe presioni ekonomik dhe diplomatik, sugjerojnë se koha mund të mos punojë domosdoshmërisht në favor të Kremlinit. Analistët vlerësojnë se, nëse Putini vazhdon të vonojë një marrëveshje më pragmatike me Trampin, Rusia rrezikon të humbasë një mundësi strategjike për të riformatuar marrëdhëniet me Perëndimin në një moment vendimtar për rendin global.
