![]()
“Oti i Elbasanit” thotë se biznesi i tij u dogj dy herë, ndërsa më vonë mësoi se Nuredin Dumani dyshohej se ishte nisur për ta vrarë
Elton Kila, i njohur si “Oti i Elbasanit”, është paraqitur sërish sot para trupës gjykuese në GJKKO për çështjen e dosjes “Plumbi i Artë”, ku ka dhënë dëshmi për ngjarjet që sipas tij e kanë shënjestruar gjatë viteve të fundit. Kila deklaroi se merret me tregtinë e automjeteve prej më shumë se 25 vitesh dhe pretendon se biznesi i tij iu dogj dy herë, në vitet 2017 dhe 2018, në rrethana ende të pasqaruara plotësisht.
Ai tregoi se në vitin 2017 u përball me një tentativë zjarrvënie, ndërsa një vit më vonë, teksa ndodhej i ndaluar nga policia për një çështje të vjetër siguracionesh, servisi i tij në Bradashesh u dogj plotësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha financiare.
Sipas dëshmisë së tij, gjatë asaj kohe ai ishte izoluar për 45 ditë dhe mësoi për zjarrvënien nga mediat. Kila tha se nuk ka mundur asnjëherë të zbulojë autorët e këtyre ngjarjeve, megjithëse dyshimet e para ia kishin përmendur disa emra të njohur të zonës. “Nuk kam kërkuar as hakmarrje, as konflikt. E kam lënë në dorë të Zotit,” u shpreh ai në sallë.
Pjesa më e rëndë e dëshmisë lidhet me momentin kur, sipas tij, mësoi se Nuredin Dumani dyshohej se ishte nisur për ta ekzekutuar. Kila tha se në atë kohë ndodhej në Gjermani me familjen dhe se lajmin e mori pas rikthimit në Shqipëri.
“Kur më thanë se Dumani do të më vriste, m’u errën sytë. As emrin nuk e kisha dëgjuar më parë. Familja më kërkoi të largohesha jashtë, por nuk pranova,” deklaroi ai, duke shtuar se nuk ruhej asnjëherë nga askush dhe se nuk ka pasur konflikte që mund t’i lidhnin këto ngjarje me të.
Kila theksoi se ka qenë gjithmonë i distancuar nga grupet kriminale dhe se përflitjet, zjarret dhe kërcënimet e kanë lënë ende pa përgjigje përfundimtare.
