Torturat që kaloi në duart e terroristëve palestinezë i përshkroi me detaje tronditëse izraeliti që u mbajt peng për dy vjet në Gaza.
21-vjeçari Rom Braslavski, i cili punonte si roje sigurie në festivalin muzikor Nova kur u rrëmbye me dhunë teksa përpiqej të shpëtonte një të plagosur, më 7 tetor 2023, përshkroi torturat që përjetoi në duart e Hamasit në emisionin “Hazinor” të Channel 13 në Izrael.
“U ktheva nga një takim me djallin”, tha në intervistën e tij tronditëse, duke përshkruar ato që përjetoi. Siç tha, u detyrua të kërcente, torturohej 7 herë në ditë për 20 minuta, i mbyllnin sytë, ndërsa i futnin gurë dhe gozhdë në veshë
Me zë që dridhej përshkroi se si i gënjyen duke i thënë se babai i tij kishte vdekur dhe se kishin parë varrimin e tij në televizionin izraelit, hanin para tij ndërsa ai po vdiste urie dhe se si torturat e tij u intensifikuan kur refuzoi të konvertohej.
“Dëgjo, nëse pranon Islamin, do të të sjellim ushqim dhe do të jetosh me ne”, i tha një nga rojet e tij, ndërsa ai u përgjigj: «Kam lindur hebre dhe hebre do të vdes”. “Mos u shqetëso, askush nuk do të të prekë. Eja, prano besimin e vërtetë, Islamin, Muhamedin”, i thoshin.
Kur ai refuzoi, torturat u intensifikuan edhe më shumë: uji i tij u reduktua në gjysmë litër në ditë, i lejonin të shkonte në tualet vetëm tre herë në 24 orë dhe ushqimi i tij u kufizua drastikisht
Një ditë, një nga burgosësit e tij iu afrua duke buzëqeshur dhe i tha: “Shiko çfarë të solla”.
“Dhurata” ishin gurë, të cilët torturuesit ia shtynë brenda veshëve me një gozhdë, duke i lënë aty për javë të tëra, me pasojë që pengu i ri humbi plotësisht dëgjimin. Paralelisht, i mbyllnin sytë, duke e izoluar plotësisht nga bota e jashtme.
“Ulërija, dhe ai nuk interesohej, vazhdonte, thjesht, t’i shtynte më thellë”, përshkroi Braslavski, duke iu referuar mundimit që pësoi.
Torturat vazhdonin pa ndërprerë, ditë pas dite… “Bëhej gjithnjë e më keq. Më rrihnin shtatë herë në ditë, çdo herë për rreth 20 minuta”, tha në emision.
Përpiqej të humbiste ndjenjat që të ndalonte dhimbja, por siç tha: Nuk të lënë as të humbësh ndjenjat, të kapin dhe të rrahin përsëri. Dhe pas grushteve, filluan goditjet me kamzhik, atë që përdornin për gomarët e tyre. Çdo kamzhik digjte. Më lanë shenja. Ende i kam mbi trup. Nuk kanë ikur nga trupi im.
