
Rasti i 76-vjeçarit Jon Ruben trondit opinionin publik; ai për më shumë se 25 vite drejtonte kampe verore për fëmijë nën petkun e fesë, ndërsa në prapaskenë përdorte qetësues të injektuar në karamele për t’i vënë në gjumë dhe abuzuar me ta
Një histori e tmerrshme abuzimi ka dalë në dritë në Britani, ku Jon Ruben, 76 vjeç, një burrë i njohur në komunitet si bamirës dhe i devotshëm fetar, është shpallur fajtor për drogimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve në kampet verore që ai organizonte prej më shumë se dy dekadash. Ai përdorte karamele të injektuara me qetësues të fortë, që më pas ua jepte fëmijëve gjatë natës me një lojë të ashtuquajtur Sweet Game. Sapo ilaçi vepronte, Ruben abuzonte me ata që kishte shënjestruar, ndërsa të tjerët ishin të pavetëdijshëm.
Në gjykatë u provua se ai shtypte qetësues të tipit Xanax, i hollonte dhe e injektonte lëngun brenda karameleve, duke llogaritur dozën sipas peshës së fëmijëve. Dhjetë ambulanca u thirrën në kampin e vitit 2024 kur disa fëmijë u gjetën të përgjumur, me të folur të turbullt dhe të tjerë pa ndjenja. Tetë prej tyre u shtruan në spital, pesë në gjendje të rëndë. Më vonë policia gjeti dhjetëra materiale pedofilie në pajisjet e Ruben, si dhe mjete të përdorura për manipulim dhe drogim.
Kampet e Ruben shiheshin prej publikut si vende pushimi të sigurt me frymë fetare, të dedikuara për fëmijë nga familje me vështirësi ekonomike. Shumë prindër u besonin fëmijët e tyre në duart e tij duke menduar se i çonin në një ambient edukues e të mbrojtur, por realiteti ishte krejt tjetër. Organizatës së tij i bashkoheshin çdo vit rreth 30 fëmijë të moshës 8 deri 12 vjeç, ndërsa Ruben ishte figura kryesore e menaxhimit.
Pas shpalljes fajtor, ai pritet të dënohet me burg në shkurt, ndërsa policia ka nisur hetime më të gjera për të zbuluar viktima potenciale nga kampet e viteve të kaluara. Hetuesit i bëjnë apel qytetarëve që të kontaktojnë autoritetet nëse fëmijët e tyre kanë marrë pjesë në kampet e Ruben dhe kanë shfaqur simptoma të pazakonta si gjumë i rëndë, humbje vetëdijeje, të vjella ose kujtime të turbullta.
Ekspertët paralajmërojnë se rastet e abuzimit shpesh kryhen nga persona që krijojnë besim te familjet duke përdorur pozita autoriteti, religjioni ose bamirësie. Prindërit këshillohen të jenë vigjilentë dhe të mos i lënë fëmijët pa mbikëqyrje, sidomos në ambiente të mbyllura ku ata flenë natën.
Sinjalet që duhet të shqetësojnë prindërit sipas specialistëve janë:
• fëmija shfaq frikë ose ndryshim sjelljeje pas kampesh apo aktivitetesh
• lodhje e tepërt, gjumë i rëndë dhe kujtesë e turbullt pas eventeve
• personat që kërkojnë kontakt të vetëm me fëmijët, sidomos natën
• dhurata, lodra, karamele ose trajtime të veçanta nga të rriturit pa arsye
• fshehje e lëvizjeve, izolim dhe sjellje manipuluese nga organizatorët
Rasti i Ruben është një thirrje alarmi për çdo shoqëri: jo çdo aktivitet me etikë fetare apo bamirëse është domosdoshmërisht i sigurt. Prindërit duhet të informohen dhe të kontrollojnë mirë kush kujdeset për fëmijët e tyre, sepse abuzuesit shpesh fshihen pas fasadës së njeriut të mirë, të qetë dhe të besueshëm.
