
SHBA mund të pranojë naftë të rëndë venezuelase në këmbim të naftës amerikane për Rezervën Strategjike të Naftës
Administrata e presidentit Donald Tramp po shqyrton një plan të pazakontë energjetik që parashikon shkëmbimin e naftës me Venezuelën, me synimin për të rimbushur Rezervën Strategjike të Naftës së Shteteve të Bashkuara.
Sipas burimeve të njohura me diskutimet, të cituara nga Reuters, U.S. Department of Energy po vlerëson mundësinë që nafta e rëndë venezuelase të depozitohet fillimisht në rezervuarët e Portit Detar të Naftës në Luiziana. Më pas, kjo naftë do të dërgohej drejt rafinerive amerikane.
Në këmbim, kompanitë energjetike do të furnizonin qeverinë amerikane me naftë vendase të tipit medium sour, e cila është e përshtatshme për t’u futur drejtpërdrejt në shpellat nëntokësore të Rezervës Strategjike të Naftës.
Ky mekanizëm synon të përshpejtojë procesin e rimbushjes së rezervës, pa u përballur me vështirësitë teknike që sjell përpunimi i naftës shumë të rëndë në strukturat ekzistuese të rezervës strategjike.
Lajmi vjen në një moment delikat për politikën energjetike amerikane dhe marrëdhëniet me Venezuelën, një vend që prej vitesh ndodhet nën sanksione të forta nga Uashingtoni. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Energjisë, i cili është kontaktuar për koment lidhur me këtë plan.
Burimet theksojnë se diskutimet janë ende në fazë paraprake dhe nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, ndërsa priten zhvillime të reja në ditët në vijim.
