
Vendime kyçe të Shtëpisë së Bardhë po zgjerohen aksesin ndaj abortit, duke tronditur mbështetësit tradicionalë konservatorë dhe duke hapur një përplasje të re brenda kampit republikan.
Nëse dikush do të mbështetej vetëm te deklaratat e organizatave pro-life apo mediave katolike në SHBA, do të besonte se administrata e dytë e Donald Tramp përfaqëson kulmin e mbrojtjes së jetës. Por realiteti, sipas kritikëve konservatorë, është krejt i kundërt.
Administrata Tramp–Vance po përballet me akuza të forta se është administrata republikane më anti-life e regjistruar ndonjëherë. Vendimet e marra gjatë vitit të parë të mandatit të dytë kanë, sipas autorëve kritikë, një efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të aborteve në nivel kombëtar.
Një nga pikat më të debatueshme lidhet me qëndrimin e Departamentit të Drejtësisë, i cili ka mbrojtur në gjykatë rregullat e miratuara gjatë presidencës Biden që lejojnë përshkrimin e pilulës abortive mifepristone përmes telemjekësisë dhe dërgimin e saj me postë. Ky mekanizëm, që sipas statistikave mbulon rreth dy të tretat e aborteve në SHBA, është konsideruar nga kritikët si një mënyrë për të anashkaluar kufizimet e vendosura nga shtetet konservatore pas rrëzimit të Roe kundër Wade.
Në tetor, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore njoftoi miratimin e një versioni gjenerik të mifepristone nga FDA. Vendimi u justifikua si detyrim ligjor, edhe pse një rishikim zyrtar mbi sigurinë dhe efektivitetin e ilaçit ishte ende në proces. Kjo ka ngritur dyshime serioze mbi transparencën dhe vullnetin politik të administratës.
Sipas kritikëve, ky regjim i ri praktikisht garanton akses në abort në çdo shtet, pavarësisht legjislacionit lokal, duke e bërë rrëzimin e Roe-s simbolik në praktikë.
Pakënaqësia u thellua edhe më tej kur presidenti kërkoi nga republikanët të tregohen “fleksibël” mbi Amendamentin Hyde, i cili ndalon përdorimin e fondeve federale për abortet. Një lëvizje e tillë do të ishte e paprecedentë për një president republikan, duke thyer një vijë të kuqe të mbajtur për dekada nga figura si Reagan apo Bush.
Edhe më shqetësuese për bazën konservatore janë deklaratat publike të Tramp për mbrojtjen e të ashtuquajturave “të drejta riprodhuese të grave”, si dhe heshtja e zëvendëspresidentit JD Vance përballë këtyre zhvillimeve.
Udhëheqës të rëndësishëm të lëvizjes pro-life kanë nisur së fundmi të reagojnë, duke paralajmëruar se mbështetja elektorale mund të vihet në rrezik në zgjedhjet e ardhshme afatmesme. Megjithatë, kritikët theksojnë se reagimi vjen shumë vonë, pasi për muaj të tërë administrata është lavdëruar pa kushte nga e njëjta lëvizje.
Sipas autorit, problemi kryesor është se lëvizja pro-life e ka dorëzuar levën e presionit politik duke e shpallur Trumpin si të paprekshëm. Dhe tani, kur politikat po ecin në drejtim të kundërt, ndikimi i saj është zbehur ndjeshëm.
Me Marshimin vjetor për Jetën që po afron në Uashington, pyetja mbetet nëse drejtuesit do të përballen hapur me administratën apo do të vazhdojnë kompromiset, ndërsa statistikat e abortit vazhdojnë të rriten.
Mesazhi përfundimtar është i qartë: mbrojtja e jetës nuk ka qenë kurrë e lehtë apo politike e leverdishme. Dhe sipas kritikëve, koha e heshtjes ka përfunduar.
