
Një politikan lokal, që prej dekadash fiton bindshëm në Ompundja, heq nga dokumentet zyrtare emrin Hitler për t’u distancuar nga ngarkesa historike që nuk e ka zgjedhur vetë
Në Namibi, Adolf Hitler Uunona ka fituar edhe një herë zgjedhjet lokale në qarkun rural të Ompundjas, duke siguruar mandatin e tij të pestë radhazi. Pavarësisht emrit të rëndë që mbart si pasojë e historisë koloniale gjermane, politikanit i mjaftuan edhe këtë herë votat e shumicës, ashtu si në vitin 2020 kur mori 85 % të votave.
I lindur në vitet 1960 dhe anëtar i partisë në pushtet SWAPO, Uunona ka qenë aktiv në lëvizjen kundër aparteidit dhe prej vitesh shpjegon se prindërit nuk e kishin të qartë rëndësinë historike të emrit që i dhanë. Ai ka thënë se vetëm si i rritur e kuptoi simbolikën globale që e shoqëronte këtë emër.
Për të shmangur keqkuptimet, ai ka përdorur publikisht vetëm emrin Adolf Uunona dhe së fundmi ka bërë edhe hapin formal: sipas intervistës së botuar nga The Namibian, ai e ka hequr përfundimisht emrin Hitler nga dokumentet e identitetit.
Megjithëse bota shpesh e sheh rastin e tij me habi apo humor të zi, banorët e Ompundjas duket se gjykojnë vetëm mbi punën e tij dhe jo mbi emrin. Prej më shumë se njëzet vitesh, ata e votojnë vazhdimisht për kontributin në komunitet, larg vëmendjes ndërkombëtare që sjell emri i tij i pazakontë.
