
Aksidenti shkaktoi shpërthim të madh dhe zjarr masiv pranë aeroportit ndërkombëtar në Louisville, ndërsa hetimet vazhdojnë
Një aeroplan ngarkesash i kompanisë UPS është rrëzuar gjatë ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar Louisville, Kentucky, duke shkaktuar humbjen e të paktën shtatë jetëve dhe plagosjen e rreth 11 personave të tjerë. Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes, ndërsa avioni po nisej për një fluturim të gjatë drejt Havait.
Sipas autoriteteve lokale, aeroplani mbante rreth 38 mijë gallon karburant, çka çoi në një shpërthim të fuqishëm sapo u përplas me tokën. Flakët përfshinë disa biznese pranë zonës së rrëzimit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Dy punonjës të një servisi automjetesh ndodhen ende të zhdukur, ndërsa nuk dihet sa persona të tjerë mund të kenë qenë në ndërtesë në momentin e aksidentit.
Shërbimet zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës punuan për orë të tëra për të neutralizuar zjarrin, ndërsa autoritetet kërkuan nga banorët pranë zonës që të qëndronin brenda për shkak të tymit toksik dhe rrezikut të shpërthimeve të tjera.
Avioni ishte model MD-11 me tre motorë, një mjet fluturues me shërbim mbi tri dekada, i cili prej vitesh përdorej për transport mallrash. Shkaku i rrëzimit ende nuk është përcaktuar. Hetimet do të drejtohen nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA, ndërsa kompania UPS ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka pezulluar aktivitetet e ngarkesave në qendrën logjistike të Louisville.
Zyrtarët e qytetit e kanë cilësuar ngjarjen si një tragjedi që ka goditur thellë komunitetin, duke theksuar se Louisville është një qendër kryesore e operacioneve ajrore të UPS dhe shumë familje kanë të afërm të punësuar në kompani. Autoritetet pritet të japin informacione të reja sapo situata në zonën e rrëzimit të jetë e sigurt për hetim të plotë.
