
Avioni tip C-130 humbi kontrollin dhe u përplas pranë kufirit Gjeorgji-Azerbajxhan, ndërsa vijojnë kërkimet për ekuipazhin
Një avion ushtarak tip C-130, pjesë e flotës së Turqisë dhe në përdorim të NATO, është rrëzuar sot në territorin e Gjeorgjisë pasi ishte nisur nga Azerbajxhani me destinacion Turqinë. Pamjet e publikuara nga mediat lokale treguan aparatin teksa humbi kontrollin në ajër dhe u nda në pjesë, përpara se të përplasej në tokë dhe të shpërthente në flakë.
Ngjarja ka ndodhur në rajonin e Rustavit, afër kufirit gjeorgjian me Azerbajxhanin dhe rreth 100 kilometra larg kufirit rus. Ministria e Mbrojtjes e Turqisë bëri të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet gjeorgjiane. Ende nuk është konfirmuar numri i personave që ndodheshin në bord dhe nuk janë dhënë informacionet e para mbi shkakun e aksidentit.
Fillimisht qarkulluan raportime se mund të ishte rrëzuar një helikopter, por më pas u konfirmua se bëhej fjalë për avion transportues C-130, një nga modelet më të përdorura në ushtritë e botës për transport truperish dhe pajisjesh. Sipas medieve turke, avioni ishte në një mision logjistik.
Ngjarja ndodh në një moment kur Turqia ka njoftuar se po përgatitet të blejë një numër avionësh ushtarakë C-130J të dorës së dytë nga Mbretëria e Bashkuar, me qëllim rinovimin e flotës së saj ajrore.
Autoritetet në Tbilisi dhe Ankara pritet të japin detaje të tjera gjatë orëve në vijim, pasi operacionet e kërkimit vijojnë në terren.
