Hetimet e SPAK kanë zbuluar asete luksoze që dyshohet se u përkasin personave të përfshirë në dosjen e abuzimeve me vlerë qindra miliona euro të tenderave të AKSHI-t. Sipas prokurorisë, këto pasuri dyshohet se janë përfituar nga të ardhura me origjinë kriminale dhe janë objekt i verifikimeve të thelluara financiare.
Gjatë kontrolleve të kryera nga BKH, hetuesit kanë identifikuar një jaht luksoz në pronësi faktike të Ermal Beqirit. Nga verifikimet ka rezultuar se mjeti lundrues “Pretador 50 Sky Fall” figuron i regjistruar në emër të shtetases Xhenila Tamizi, por sipas SPAK, jahti është blerë nga Beqiri. Mjeti ka një vlerë të konsiderueshme, e cila përllogaritet rreth 950 mijë dollarë.
Paralelisht, hetimet janë zgjeruar edhe në prona të tjera të dyshuara si të përfituara nga kompanitë “Soft&Solution” dhe “EA Solution”. Sipas burimeve, fokus i SPAK është përqendruar në investime në sektorin e ndërtimit në Tiranë dhe në prona të paluajtshme në disa qytete të vendit. Prokuroria po mbledh gjithashtu informacion nga bankat e nivelit të dytë dhe zyrat e hipotekës për të gjurmuar rrjedhën e parave dhe pasuritë e regjistruara.
