Emisioni investigativ Vetting, News24
Më 30 tetor 2025, Pamela Qirko ish-anëtare dhe kryetare e njërit prej institucioneve të Vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të hapte niptin për një biznes pa objekt veprimtarie si person fizik, gjë e cila është pothuajse e pamundur në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në rolin e anëtares të KPK-së, znj. Qirko ka bërë kontrollin e pastërtisë së figurës të prokurorëve dhe gjykatësve për llogari të reformës në drejtësi, duke shkarkuar shumë nga magjistratët për shkak të shkeljeve, por edhe duke i rënë çekiçit të drejtësisë për të katapultuar më të mirët drejt SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në fakt, këtu lind edhe kontradikta sepse një ditë më pas, në 31 tetor 2025 Pamela Qirko sipas burimeve mediatike do të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme si avokate e motrës së saj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ky veprim, si avokate mund të përbëjë një shkelje të rëndë ligjore. Në këtë rast gjendemi përballë një konflikti të mundshëm interesi sepse znj. Qirko ka bërë vettingun e prokurorit Dritan Prençi si anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit së bashku me kryetare Genta Bungon (Tafa) dhe relatore Suela Zhegun. Zoti Prençi është prokurori që po heton zv.kryeministren Balluku dhe vartësit e saj për aferën e tunelit të Llogarasë me vlerë 200 milionë euro me tvsh.
Pra, personi që i ka bërë vettingun prokurorit që po heton motrën e saj, do të jetë i njëjti që do ta mbrojë atë përballë atij që ka ngritur akuza. Ngelet mister nëse kjo është një formë presioni ndaj prokurorit dhe SPAK-ut, por është e qartë se i gjithë ky proces hetimor, po përpiqet të dëmtohet për të goditur besueshmërinë e vet organit të akuzës.
Në pamje të parë ky detaj i vogël është nyja që lidh të gjithë çështjen e aferës së tunelit të Llogarasë pasi në rastin e Ballukut nuk ka një masë shtrëngimi, e cila të jetë kërkuar nga SPAK-u dhe të jetë miratuar nga Gjykata e Posaçme.
