
Bill dhe Hillary Klinton akuzohen se refuzuan të paraqiten në seanca dëgjimore për çështjen Epstein dhe rrezikojnë ndjekje penale deri në një vit burg
Një procedurë e re parlamentare në Shtetet e Bashkuara ka vënë sërish në qendër të vëmendjes çiftin Klinton, të cilët akuzohen për pengim të punës së Kongresit në kuadër të hetimeve për aferën Epstein. Komisioni për Mbikëqyrjen në Dhomën e Përfaqësuesve ka miratuar më 21 janar një rezolutë që i referohet refuzimit të Bill Clinton dhe Hillary Clinton për t’u paraqitur në seanca dëgjimore.
Sipas drejtuesit të komisionit, republikani James Comer, asnjë dëshmitar, pavarësisht statusit të tij, nuk mund të shpërfillë një thirrje zyrtare të Kongresit pa pasoja ligjore. Rezoluta është mbështetur edhe nga disa deputetë demokratë dhe pritet të votohet në seancë plenare të Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse miratohet, çështja do t’i kalojë Departamentit të Drejtësisë për ndjekje penale.
Në rast se procedura përfundon me dënim, çifti Klinton rrezikon deri në 12 muaj burg dhe një gjobë që mund të shkojë deri në 100 mijë dollarë. Audicionet lidhen me hetimin parlamentar mbi aktivitetet e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, i akuzuar për shfrytëzim seksual të qindra të miturave dhe të rejave.
Avokatët dhe përfaqësuesit e çiftit Klinton kanë theksuar se as Bill dhe as Hillary Klinton nuk janë akuzuar për ndonjë vepër penale në lidhje me Epstein. Sipas tyre, ish-presidenti ka pranuar se e ka takuar Epsteinin disa herë dhe ka udhëtuar me avionin e tij, por ka mohuar kategorikisht çdo dijeni për krimet e tij.
Tensionet mes komisionit dhe çiftit Klinton janë rritur pas refuzimit të tyre për t’u paraqitur fizikisht në Kongres. Ata kanë propozuar një intervistë nën betim në zyrën private të Bill Klinton në Nju Jork, por kjo ofertë është refuzuar nga drejtuesit e komisionit për mungesë të një transkriptimi zyrtar.
Ndërkohë, demokratët akuzojnë republikanët se po e përdorin politikisht çështjen Epstein për të shmangur vëmendjen nga lidhjet e mëparshme të presidentit aktual amerikan, Tramp, me financierin e ndjerë dhe nga mungesa e transparencës në publikimin e plotë të dosjeve zyrtare. Megjithëse mijëra dokumente janë bërë publike muajt e fundit, pjesë të mëdha të dosjes mbeten të redaktuara.
Hetimi parlamentar pritet të vijojë edhe me dëshminë e Ghislaine Maxwell më 9 shkurt, e cila aktualisht vuan një dënim prej 20 vitesh burg për shfrytëzim seksual dhe ka paralajmëruar se do të përdorë të drejtën për të heshtur.
