
Pas kontrolleve në banesën dhe zyrën e biznesmenëve Artan Dulaku dhe Genard Kastrati, në kuadër të hetimeve për Portin e Limionit në Sarandë, SPAK ka urdhëruar edhe kontrolle të tjera në banesat e disa ish-zyrtarëve.
Hetuesit e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e Belioza Çokut, ish-drejtoreshë e kabinetit të ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Kontrolle janë kryer gjithashtu edhe në banesën e administratorit të OSHEE-së, Enea Karakaçi, si dhe të shtetases T. Balili.Në listën e personave që u janë nënshtruar kontrolleve përfshihet edhe ish-deputeti i PS-së, Bardhyl Kollçaku. Ky i fundit është marrë më herët në pyetje nga SPAK në lidhje me këtë çështje.
Baza detare e Portit të Limionit në Sarandë, e cila ishte dhënë me koncesion, është sekuestruar me vendim të GJKKO-së që në vitin 2023. Në atë kohë, u mor edhe dëshmia e ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.