
Babai i kreut të Partisë Mundësia u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, pranë familjarëve në Itali.
Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare Siri Shehaj, babai i kryetarit të Partia Mundësia, Agron Shehaj. Ai kishte kaluar kohët e fundit një sëmundje të rëndë dhe u shua në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen.
Lajmi u bë i ditur mbrëmjen e kaluar, kur Agron Shehaj mungoi në emisionin Të Paekspozuarit, ku ishte i ftuar. Moderatori Ylli Rakipi sqaroi se mungesa e tij lidhej me një fatkeqësi familjare.
Siri Shehaj kishte ndërtuar jetën e tij mes sakrificash dhe sfidash, ndërsa për të birin ka qenë një figurë frymëzuese dhe udhërrëfyese. Agron Shehaj ka folur publikisht për rolin e të atit në jetën e tij personale dhe politike, duke theksuar ndikimin që ai pati në formimin e karakterit, këmbënguljen dhe bindjen se me punë asgjë nuk është e pamundur.
Historia e familjes Shehaj lidhet ngushtë me persekutimin politik gjatë diktaturës. Gjyshi i Agron Shehajt ndërroi jetë në burgun e Burrelit si i burgosur politik, duke e lënë Siri Shehajn jetim që në fëmijëri. Ai u rrit në Vlorë, ku më pas krijoi familjen e tij.
Në mars të vitit 1991, Siri Shehaj u largua nga Shqipëria së bashku me Agronin e vogël, gjatë eksodit dramatik drejt Italisë me anije nga Himara. Fotografia e Agron Shehajt fëmijë nga ajo periudhë është bërë simbolike dhe është publikuar shpesh ndër vite. Që prej asaj kohe, Siri Shehaj ka jetuar kryesisht në Itali, duke ruajtur lidhje të herëpashershme me Shqipërinë.
